Çfarë është PEEA?
PEEA (Promotion of European value and European integration of Albania) shërben si akronim për projektin me titull: “Promovimi i vlerave Evropiane dhe Procesi i Integrimit Evropian në Shqipëri”, projekt i realizuar në kuadër të Programit Erasmus+ (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II).
Kush është trupi implementues i projektit PEEA?
Trupi implementues i projektit PEEA përbëhët nga 3 pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë: Prof. Assoc. Bernard Dosti, Zëvendës Rektorit për Kërkimin Shkencor në Universitetin e Tiranës dhe njëkohësisht pedagog i lëndëve: “Financat Publike” dhe “Integrimi Ekonomik Evropian”; Dr. Ditjona Kule, pedagog i lëndëve: “Hyrje në Ekonomi” dhe “Shkrim Akademik” ; MSc. Silvana Doçi, pedagoge e lëndëve: “Makroekonomi”, “Mikroekonomi” dhe “Hyrje në Ekonomi”.
Gjithashtu, projekti implementohet në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të çeshtjeve lidhur me integrimin evropian të cilët japin kontributin e tyre si në rishikimin dhe përshtatjen e ciklit të leksioneve në përputhje me zhvillimet e reja në këtë proces, por edhe në organizimin e aktiviteteve të projektit si marrja pjesë në leksione të hapura dhe në shkollën verore.
Kush e financon projektin PEEA?
Projekti PEEA realizohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të Programit Erasmus+ (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II).
Cili është qëllimi i projektit PEEA?
Qëllimi i përgjithshëm i projektit "Promovimi i vlerave Evropiane dhe Procesi i Integrimit Evropian në Shqipëri" është rishikimi dhe përshtatja e programit ekzistues dhe materialeve mësimore të lëndës Ekonomiksi i Integrimit Europian, në përputhje me zhvillimet e reja të integrimit evropian. Nëpërmjet këtij projekti synohet zgjerimi i njohurive të të rinjëve mbi rëndësinë dhe vlerat e integrimit evropian, si dhe rritjen e rolit proaktiv të akademisë dhe universiteteve në këtë proces.
Sa është kohëzgjatja e projektit PEEA?
Projekti PEEA do të implementohet për tre vite, duke përfshirë vitet akademike: 2022-2023, 2023-2024 dhe 2024-2025.
Kush mund të bëhet pjesë e projektit PEEA?
Pjesë e projektit PEEA mund të bëhen të gjithë studentët e Institutit të Studimeve Evropiane, studentët e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, por edhe studentë të universiteteve e tjera të Shqipërisë nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshem si Leksione të Hapura, Shkolla Verore apo në Klubin Rinor për Integrimin Evropian. Gjithashtu, pjesë e projektit mund të bëhen edhe institucione të strukturave vendimmarrëse qeveritare, institucione private, Organizata të Shoqërisë Civile, si dhe stafet akademike.
Si mund të bëhemi pjesë e aktiviteteve në kuadër të projektit PEEA?
Në mënyrë të vazhdueshme gjatë kohës së implementimit të projektit, do të postohen në website informacione mbi aktivitetet e planifikuara për t’u realizuar në kuadër të PEEA. Çdokush që dëshiron të bëhet pjesë e aktiviteteve, mund të na kontaktojë paraprakisht.
A do të jetë funksionale faqja website e PEEA pas përfundimit të projektit?
Faqja zyrtare e projektit PEEA do të vijojë të jetë funksionale edhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së projektit.