Shkolla Verore 'Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së'
12-14 Maj 2025
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i vlerave evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri”, të thirrjes Jean Monnet, u zhvillua shkolla e tretë verore “Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së”. Aktiviteti u organizua më datat 12-14 Maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, duke mbledhur një pjesëmarrje të gjerë studentësh dhe pedagogësh nga ky institucion.
Shkolla verore u zhvillua përgjatë tre ditëve, ku studentët patën mundësi të njiheshin me konceptet kryesore të integrimit evropian, integrimit ekonomik dhe shtyllat mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Ekspertë të fushës trajtuan tema të rëndësishme mbi këtë proces.
Në ditën e parë, eksperti Z.Gentian Elezi prezantoi temën mbi procesin e anëtarësimit në BE, duke shpjeguar hapat që ndjek një vend kandidat për të përmbushur standardet politike, ekonomike, juridike dhe institucionale të Bashkimit Evropian. Ai sqaroi fazat kryesore të këtij procesi, nga aplikimi për anëtarësim, marrja e statusit të kandidatit, procesi i screening-ut, hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave, deri në përfundimin e tyre, ratifikimin dhe anëtarësimin e plotë në BE. Gjithashtu, studentët u njohën me zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në këtë proces dhe sfidat që vendi përballet në përmbushjen e kapitujve të Acquis Communautaire.
Në ditën e dytë, lektor i ftuar ishte eksperti Z.Gledis Gjipali, i cili trajtoi metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, duke u fokusuar veçanërisht tek Grupkapitulli II “Tregu i Brendshëm”. Ai theksoi rëndësinë e rregullave dhe standardeve që garantojnë funksionimin e lirë të tregut të përbashkët evropian, duke përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve, si dhe politikat e konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit. Eksperti prezantoi situatën e Shqipërisë në këtë drejtim, bazuar në raportet e progresit ndër vite, dhe theksoi rëndësinë e përafrimit të legjislacionit kombëtar me këtë grupkapitull për rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe për përgatitjen për funksionim të plotë brenda tregut të përbashkët të BE-së pas anëtarësimit.
Për të thelluar më tej njohuritë mbi mbrojtjen e konsumatorit, lektore e ftuar ishte edhe ekspertja Znj.Ersida Teliti. Ajo solli rëndësinë e kësaj fushe si një komponent i domosdoshëm i politikave të Bashkimit Evropian, që synon të garantojë sigurinë, informimin dhe të drejtat e konsumatorëve brenda tregut të përbashkët. Lektorja prezantoi kuadrin ligjor të BE-së që mbulon sigurinë e produkteve, informimin e drejtë, mbrojtjen nga praktikat e padrejta tregtare dhe aksesin në mekanizma efektivë ankimimi, duke sjellë shembuj konkretë për secilën prej tyre. Studentët u njohën edhe me situatën në Shqipëri, progresin që ka shënuar vendi përmes miratimit të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit dhe ngritjen e institucioneve përkatëse, por edhe sfidat që vijojnë të ekzistojnë për zbatimin efektiv të ligjeve dhe forcimin e mekanizmave mbikëqyrës dhe ankimor.
Dita e tretë e shkollës verore u përqendrua në prezantimin e projekteve të përgatitura nga grupet e studentëve pjesëmarrës, mbi tema aktuale si ndikimi i inteligjencës artificiale në tregun e punës, tregtia ndërkombëtare dhe globalizimi, si dhe psikologjia e konsumit të tepruar.
Shkolla verore u përmbyll me ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave për pjesëmarrësit, si dhe prezantimin e nismës së “Klubi Rinor për Integrimin Evropian”, një hapësirë e dedikuar për të rinjtë që dëshirojnë të angazhohen në çështjet e integrimit evropian dhe të ndërveprojnë mbi tematika të rëndësishme për të ardhmen e vendit në procesin e anëtarësimit në BE.
Ky aktivitet u vlerësua pozitivisht nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët e konsideruan një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e njohurive të tyre në fushën e integrimit evropian. Ata shprehën dëshirën për të qenë pjesë jo vetëm e Klubit Rinor për Integrimin Evropian, por edhe e aktiviteteve të tjera të ngjashme.
Shkolla Verore 'Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së'
22-24 Prill 2024
Për të dytin vit rradhazi, u zhvillua shkolla verore “Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së”, në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i vlerave evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri”, të thirrjes së Jean Monnet, në datat 22-24 Prill 2024, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.
Shkolla verore u zhvillua në tre ditë dhe pati një pjesëmarrje të gjërë nga studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, konkretisht nga Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
Dy ditët e para të shkollës verore njohën studentët më çeshtje të ndryshme që lidhen me integrimin evropian. Ekspertë të fushës trajtuan çështje që lidhen me euroizimin, rolin e Bankës Qendrore Evropiane, përfitimin dhe kostot e euroizimit, duke theksuar edhe faktorët që duhet të merren parasysh nga Shqipëria. Po ashtu studentët u njohën edhe me zhvillimet e fundit në politikën e zgjerimit të Bashkimit Eurpian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor, progresin e rajonit dhe të Shqipërisë në kapitujt respektivë Acquis Communautaire dhe sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit.
Bazuar edhe në njohuritë e fituara nga leksionet e dy ditëve të mëparshme, dita e tretë e shkollës verore u pëmbyll me prezantimin e një grupi studentësh lidhur me çështje të inteligjencës artificiale, përceptimin e të rinjve mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në sektorë të ndryshëm, dhe se si mund të shfrytëzohet inteligjenca artificiale për të promovuar dhe arritur zhvillimin e qëndrueshëm në disa sektorë. Një tjetër aspekt i trajtuar ishte edhe mbi rëndësinë e sigurisë dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në këtë drejtim.
Dita e tretë e shkollës verore u përmbyll me ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave për pjesëmarrësit. Gjithashtu gjatë kësaj dite u prezantua edhe themelimi i Klubit Rinor për Integrimin Evropian, si një organizim nga të rinjtë për të rinjtë, në të cilin u regjistruan pothuaj të gjithë të rinjtë pjesëmarrës.
Ky aktivitet u vlerësua nga të rinjtë pjesëmarrës si një përvojë mjaft e vlefshme dhe shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë jo vetëm në Klubin Rinor për Integrimin Evropian por edhe në aktivitete tjera të kësaj natyre.
Shkolla Verore 'Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së'
7-9 Qershor 2023
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i vlerave evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri”, të thirrjes së Jean Monnet është organizuar për herë të parë shkolla verore “Integrimi Ekonomik Evropian dhe progresi i Shqipërisë drejt BE-së”, e zhvilluar në datat 7-9 Qershor 2023, në ambientet e Institutit të Studimeve Evropiane.
Në këtë aktivitet pati një pjesëmarrje të gjërë nga studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, konkretisht nga Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
Në dy ditët e para të shkollës verore, studentët patën mundësinë të njiheshin me ekspertë të fushave të ndryshme lidhur me integrimin evropian. Më konkretisht, studentët u njohën me çështje lidhur me historikun dhe zhvillimin e integrimit evropian, metodologjinë e re të zgjerimit dhe ndikimin e pritshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zbatimi i standardeve për integrimin evropian në kuadër të hapjes së negociatave, politikat evropiane mjedisore si dhe progresin e Shqipërisë në këto drejtime krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Ndërsa dita e tretë e shkollës verore u dedikua vetëm për prezantime të studentëve pjesëmarrës. Bazuar edhe në njohuritë e fituara nga leksionet e dy ditëve të mëparshme, studentët realizuan katër prezantime që trajtonin tema të rëndësishme si liria e fjalës, arsimi, rinia, politikat bujqësore duke i lidhur këto me kapitujt negociues përkatës për integrimin evropian dhe duke e shoqëruar me statistika për Shqipërinë. Këto prezantime shkaktuan diskutime frytdhënëse mes të pranishmëve. Gjithashtu u prezantua edhe themelimi i Klubit Rinor për Integrimin Evropian, ku u vu re dëshira dhe vullneti i studentëve për tu bërë pjesë e këtij grupi.
Dita e tretë e shkollës verore u përmbyll me ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave për pjesëmarrësit të cilët shprehën dëshirën për të qënë përsëri pjesë e aktiviteteve të tilla të organizuara.
Përfshirja aktive, dëshira për të mësuar dhe kontributi e çmuar bënë që ky aktivitet të jetë një përvojë e vlefshme për të gjithë pjesëmarrësit.