Zhvillimi i Modulit Ekonomiksi i Integrimit Evropian
Zhvillimi i Leksioneve të lëndës Ekonomiksi i Integrimit Evropian me Prof.Assoc.Bernard Dosti , Mars 2023 - Qershor 2023.
Zhvillimi i Leksioneve të lëndës Ekonomiksi i Integrimit Evropian me Prof.Assoc.Bernard Dosti , Mars 2024- Qershor 2024.
Zhvillimi i leksioneve të hapura
Leksion i Hapur 4
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Vlerave Evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri", të thirrjes Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë është organizuar leksioni i katërt i hapur mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, kriteret e anëtarësimit në BE dhe sfidat institucionale të Ballkanit Perëndimor, me Lektorin e Ftuar Z. Gentian Elezi, i cili ka një përvojë të gjerë në fushën e integrimit evropian.
Gjatë këtij leksioni, studentët u njohën me politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe zhvillimet e fundit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë drejt BE-së. Z. Elezi theksoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria për të përafruar institucionet e saj me standardet evropiane, duke adresuar fusha thelbësore si forcimi ligjit, përmirësimi i administratës publike dhe lufta kundër korrupsionit. Këto përpjekje ilustrojnë angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, gjatë diskutimit u trajtuan edhe zhvillimet rajonale dhe sfidat institucionale të Ballkanit Perëndimor.
Leksion i Hapur 3
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Vlerave Evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri", të thirrjes Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) në ambientet e Institutit të Studimeve Evropiane është organizuar leksioni i tretë i hapur mbi çështje lidhur me integrimin evropian me temë "Procesi i europianizimit dhe ndikimi në politikat shëndetësore: Arritje dhe sfida për Ballkanin Perëndimor", me lektoren e ftuar Znj. Eni Tresa.
Znj.Eni Tresa ka përfunduar studimet e doktoraturës në Universitetin e Mastrihtit, me fokus në shëndetin ndërkombëtar. Hulumtimi i saj fokusohet veçanërisht në procesin e evropianizimit dhe ndikimin e tij në politikat shëndetësore dhe shëndetin e popullsisë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë këtij leksioni, studentët u njohën me ndikimin e procesit të integrimit europian në politikat shëndetësore duke u fokusuar në sfidat dhe arritjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu u prezantua edhe progresi i vendeve të rajonit në Kapitullin 28 ‘Mbi konsumatorin dhe mbrojtjen e shëndetit’, si një ndër çështjet më të rëndësishme në të cilat vendet e rajonit duhet të përafrojnë legjislacionin kombëtar me standartet, rregullat dhe ligjet Bashkimit Evropian. Në këtë diskutim, u theksua rëndësia e mbrojtjes së interesave ekonomikë të konsumatorëve, siguria e produkteve të ofruara, si dhe rregullat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në kujdesin shëndetësore ndërkufitar.
Leksion i Hapur 2
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Vlerave Evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri", të thirrjes Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) në ambientet e Institutit të Studimeve Evropiane është organizuar leksioni i dytë i hapur mbi çështje lidhur me integrimin evropian me temë "Kriteret e anëtarësimit në BE dhe sfidat institucionale të Ballkanit Perëndimor ", me Lektorin e Ftuar Z. Gentian Elezi, i cili ka një përvojë të gjerë në fushën e integrimit evropian si dhe ka mbajtur detyrën si Zëvendësministër për Integrimin Evropian të Shqipërisë (2013-2016).
Gjatë këtij leksioni, studentët patën mundësi të njihen me sfidat institucionale të rajonit të Ballkanit Perendimor dhe veçanërisht Shqipërisë të hasura gjatë rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe reformat e ndërmarra për të përafruar institucionet me standartet Evropiane. Çështje si forcimi i ligjit, administrata publike dhe lufta ndaj korrupsionit paraqitën njëherazi edhe përpjekjet e Shqipërisë për të arritur kërkesat e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Për më tepër, gjatë leksionit të hapur diskutimi u përqëndrua edhe në dinamikat rajonale dhe ndikimin e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e bashkëpunimit rajonal me qëllim stabilitetin si një nga faktorët thelbësor në rrugën drejt BE-së.
Leksion i Hapur 1
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Vlerave Evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri", të thirrjes Jean Monnet (ERASMUS Jean Monnet LS Type I and II) në ambientet e Institutit të Studimeve Evropiane është organizuar leksioni i hapur mbi çështje lidhur me integrimin evropian me temë "Rrugëtimi i Rumanisë drejt Bashkimit Evropian si model për Shqipërinë", me Lektorin e Ftuar Z. Adrian Majuru.
Z. Majuru është historian dhe gjeograf nga Bukureshti, Rumania. Ai ka mbaruar studimet e tij në Histori dhe ka fituar doktoraturën në Gjeografi Njerëzore në Universitetin e Bukureshtit. Interesat e tij përfshijnë gjeografinë njerëzore dhe eksplorimin e hapësirave urbane si vende arkeologjike të identitetit të komunitetit.
Z. Majuru shpjegoi për studentët e lëndës "Ekonomiksi i Integrimit Evropian" rrugëtimin e Rumanisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe theksoi potencialin e saj si një model për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE. Gjithashtu, gjatë leksionit të hapur, Z.Majuru evidentoi se cilat ishin reformat politike, transformimet ekonomike dhe rregullimet institucionale që hapën rrugën për pranimin e suksesshëm të Rumanisë në BE.
Në bashkëbisedim me Prof.Assoc.Dosti, u bë paralelizmi i rrugëtimit të Rumanisë me aspiratat, arritjet dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE. Ligjërata theksoi rëndësinë e vullnetit politik, përkushtimit ndaj parimeve demokratike, sundimit të ligjit dhe zbatimit efektiv të kërkesave të BE-së. Për më tepër, leksioni trajtoi fusha specifike ku Shqipëria mund të mësonte nga përvojat e Rumanisë, të tilla si rëndësia e luftimit të korrupsionit, forcimi i gjyqësorit dhe përafrimi i kuadrit legjislativ me standardet e BE-së.