Klubi Rinor i Integrimit Evropian
Në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i Vlerave Evropiane dhe procesi i integrimit evropian në Shqipëri”, të thirrjes së Jean Monnet ftojmë të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës dhe më gjërë të bëhen pjesë e Klubit Rinor për Integrimin Europian.
Synimi kryesor i këtij Klubi Rinor është të nxisë një platformë për dialog dhe bashkëpunim mes studentëve të Universitetit të Tiranës dhe universiteteve të tjera me qëllim promovimin e vlerave evropiane dhe konceptin e politikës rinore si një komponent jetik i Integrimit Evropian.
Për tu bërë pjesë e këtij klubi rinor regjistrohuni në linkun: https://forms.gle/iAimz8N1P6pzg3Ws6
ose dërgoni e-mail në adresën: peea.eu@gmail.com
#YouthClubEU #EuropeanIntegration #EmpoweringYouth
Tryezë e rrumbullakët me Klubin Rinor të Integrimit Evropian!
Më datë 29 Maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë, u zhvillua tryeza e rrumbullakët me studentët anëtarë të Klubit Rinor të Integrimit Evropian. Ky aktivitet kishte në fokus diskutimin mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sfidat dhe mundësitë që ky proces sjell për vendin tonë dhe të rinjtë shqiptarë.
Në këtë aktivitet morën pjesë të ftuar të veçantë, si Konsulli i Polonisë në Shqipëri, z. Tomasz Frączkiewicz, i cili njëkohësisht është edhe Drejtues i Seksionit Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e Republikës së Polonisë në Tiranë, si dhe z. Gert Dragoshi, i cili ka kryer studimet në Universitetin e Lodz-it në Poloni, duke ndarë me studentët një eksperiencë të vlefshme akademike dhe profesionale.
Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte fjala përshëndetëse dhe diskutimi i mbajtur nga Konsulli i Polonisë në Shqipëri, z. Tomasz Frączkiewicz. Në fjalimin e tij, Konsulli theksoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ndarë përvojën e Polonisë që nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian në vitin 2004. Ai nënvizoi përfitimet që ky proces ka sjellë për Poloninë, si në aspektin ekonomik, social dhe politik, por edhe sfidat që janë shoqëruar me të. Konsulli shprehu mbështetjen e plotë të Polonisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, sidomos në fushën e arsimit, kulturës dhe ekonomisë. Ai përgëzoi studentët për interesin e treguar dhe i inkurajoi ata të përfshihen më shumë në projekte ndërkombëtare dhe programe shkëmbimi, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes të rinjve shqiptarë dhe atyre polakë.
Në vijim, z. Gert Dragoshi zhvilloi një leksion interaktiv, ku prezantoi përvojën e Polonisë si vend anëtar i BE-së dhe presidencën aktuale që mban ky shtet në Këshillin e Bashkimit Evropian. Ai ndau me studentët një bilanc të qartë të përfitimeve dhe kostove që ka sjellë anëtarësimi i Polonisë në BE, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë që ka për Shqipërinë përparimi në këtë proces. Në diskutim u trajtuan edhe tema të tjera të rëndësishme si perceptimi ndërkombëtar i Shqipërisë dhe pozicioni i saj në renditjet dhe institucionet ndërkombëtare.
Z. Dragoshi foli gjithashtu për disa nga arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përmendur anëtarësimin në NATO në vitin 2009, kryesimin e OSBE-së në vitin 2020 dhe rolin e vendit si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë mandatit 2022–2023. Ai nuk la pa përmendur edhe sfidat me të cilat përballet vendi, si korrupsioni, një ekonomi tregu ende e brishtë dhe krimi i organizuar.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte lidhja live me Dr. Piotr Gabrielczak, Zëvendës Dekan për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Fakultetin e Ekonomisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Lodz-it, Poloni. Gjatë këtij komunikimi, u prezantuan mundësitë e bashkëpunimit mes universiteteve, si dhe mundësitë që studentët shqiptarë kanë për të ndjekur studime dhe projekte Erasmus+ në Poloni.
Aktiviteti u organizua dhe u moderua nga znj. Ditjona Kule, drejtuesja e Klubit Rinor të Integrimit Evropian dhe anëtare e projektit PEEA. Ajo krijoi një atmosferë të hapur bashkëbisedimi duke bërë të mundur që çdo pjesëmarrës të kontribuonte me pyetje dhe mendime. Gjithashtu, në aktivitet mori pjesë edhe znj. Fatma Jaupi, Zëvendës Dekane për Kërkimin Shkencor në Fakultetin e Ekonomisë, e cila diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mundësitë për të përfituar nga përvojat pozitive të vendeve anëtare të BE-së, si Polonia, duke inkurajuar studentët të përfshihen më shumë në iniciativa të tilla ndërkombëtare dhe projekte akademike.
Studentët treguan interes për përvojat e Polonisë si vend anëtar i BE-së dhe për mundësitë që ofron Erasmus+, duke shfaqur dëshirë për të marrë pjesë në projekte dhe shkëmbime studimore në Poloni.
Ky aktivitet u vlerësua maksimalisht nga të gjithë pjesëmarrësit dhe shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për studentët që të njihen më afër me procesin e integrimit evropian dhe të eksplorojnë mundësi konkrete për përfshirje në projekte ndërkombëtare. Për më tepër, aktiviteti u cilësua si një hap të rëndësishëm në nxitjen e dialogut mes studentëve dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe në ndërtimin e mundësive konkrete për bashkëpunim akademik dhe profesional.
Për tu bërë pjesë e këtij klubi rinor dërgoni e-mail në adresën: peea.eu@gmail.com
#YouthClubEU #EuropeanIntegration #EmpoweringYouth
Zhvillohen takimet e para të Klubit Rinor të Integrimit Evropian
Gjatë muajit Tetor, përkatësisht në datat 11 Tetor dhe 26 Tetor 2023 janë zhvilluar dy takime me Klubin Rinor për Integrimin Evropian të studentëve aktualë të regjistruar dhe studentëve të rinj të cilët i janë bashkëngjitur Klubit.
Gjatë këtyre takimeve janë zhvilluar dhe diskutuar disa tematika që lidhen drejtpërsëdrejti me njohuritë që studentët kanë fituar gjatë pjesëmarrjes në shkollën verore në datat 7-9 Qershor 2023, duke vënë fokusin në politikat që prekin edukimin dhe punësimin e të rinjëve, si dhe qasjen në vlerat evropiane. Gjithashtu janë diskutuar edhe mundësitë e aktivizimit të studentëve në projekte të Bashkimit Evropian ku në fokus ishin projektet e Erasmus+, si një mundësi shumë e mirë për të mësuar më tepër rreth politikave të Bashkimit Evropian, si dhe për të zhvilluar njohuritë dhe aftësitë e tyre në mësimnxënien në vendet Evropiane. Interes i veçantë u shpreh edhe për mundësitë e të rinjëve për pjesëmarrjen në projektet rinore që organizohen nga Bashkimi Europian në Strasburg. Në ditët në vijim studentët vazhduan me shpërndarjen e njohurive të marra gjatë aktivitetit tek bashkëmoshatarët e tyre ne Fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës.
Për tu bërë pjesë e këtij klubi rinor dërgoni e-mail në adresën: peea.eu@gmail.com
#YouthClubEU #EuropeanIntegration #EmpoweringYouth